Familja

Naim Tërnava u lind më 7 janar 1961, në fshatin Lismir të Komunës së Fushë-Kosovës, si fëmija i tretë i babait Pajazitit dhe nënës Refiqes.
Të parët e familjes së tij heqin rrënjë nga fshati Tërnavë i rrethit të Toplicës, i cili i përkiste Sanxhakut të Nishit, nga ku u dëbuan me dhunë gjatë vitit 1878 për t’u vendosur në fshatin Lismir të Fushë- Kosovës.
Si shumë familje të tjera shqiptare, të dëbuara me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore, edhe kjo familje me përkushtim e ruajti dhe e kultivoi ndjenjën, dashurinë dhe idealin për t’u kthyer, herë do kurdo, në vatrat e tyre. Kjo më së miri dëshmohet edhe nga mbiemri i tyre (Tërnava), si shenjë identifikimi i prejardhjes së tyre nga fshati – vatra nga e cila ishin dëbuar me dhunë.
Familja Tërnava shquhet për kultivimin e atdhedashurisë dhe për traditën fetare.
I ati Pajaziti dhe xhaxhai Myderriz Adem efendiu, ishin atdhetarë të shquar dhe pjesëtarë aktivë të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH).

Arsimimi

Naim efendiu i mori mësimet parashkollore te xhaxhai i tij, hoxha i shquar, Mulla Adem efendiu, ku edhe nisi rrugëtimi i tij drejt edukimit dhe mësimit. Shkollimin fillor e mbaroi po në vendlindje, në vitin 1972/1973, për të vazhduar në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë, të cilën e mbaroi në vitin shkollor 1978/1979. Gjatë ditëve në medrese u dallua për sjelljet, edukatën dhe përkushtimin për mësime. Pati fatin e mirë që ishte nxënës i myderrizëve të shquar të asaj kohe që ishin pedagogë në medrese, si Rashid ef. Osmani, Hasan ef. Nahi, Sadri ef. Prestreshi, Haxhi Sherif ef. Ahmeti, si dhe pedagogët e lëndëve shoqërore.
Gjatë kësaj kohe u dallua sidomos me organizimet letrare dhe kulturore që zhvilloheshin në kuadër të Shoqatës së nxënësve të Medresesë dhe organit të tyre revistës “Drita e Kuranit” (Nuru ‘l- Kuran), në të cilën Naim efendiu e nisi rrugëtimin e tij të gjatë e të frytshëm të fjalës së shkruar. Në vitin shkollor 1978/1979 ishte kryetar i Shoqatës së Nxënësve të Medresesë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, studimet i filloi në Universitetin “Al-Az-har” të Kajros, në drejtimin “Usuluddin” (Apologjetikë dhe Filozofi Islame), ku edhe diplomoi më 1984. Gjatë qëndrimit në Kajro, përveçse u dallua në studime, u angazhua edhe në shumë aktivitete të tjera, sidomos në njohjen e historisë së shqiptarëve të Egjiptit dhe në kontaktet me të fundmit e dinastisë shqiptare të Misirit, si me Qerim Haxhiun, Musa Haxhiun etj.I frymëzuar nga dashuria, malli, përkushtimi, këshillat, mësimet dhe porositë e tyre për Atdheun, vuri kontakte me shqiptarët që jetonin jashtë Atdheut të tyre, të organizuar në qendra të ndryshme nëpër Evropë, ShBA, Australi e Zelandë të Re.
Përmes këtyre atdhetarëve të dëshmuar, Naim efendiu u njoh dhe vuri kontakte edhe me shumë gazeta, revista e botime të veçanta që kishin nxjerrë rilindësit tanë në Misir (Egjipt) dhe në vende të tjera, si dhe me shtypin e kohës që e nxirrte Mërgata Shqiptare gjithandej nëpër botë, jashtë ndikimit dhe mendimit ideologjik komunist që ishte instaluar në vendlindjet e tyre.
Studimet postdiplomike i ka mbaruar në Universitetin e Hapur Amerikan të Kajros në vitin 2003.

Gjatë luftës

Në fund të vitit 1997 dhe në fillim të vitit 1998, Kosova hyn në një fazë krejtësisht të re, ajo edhe praktikisht ishte në gjendje lufte, kurse popullata shqiptare përballej me vështirësi nga më të ndryshmet. Në këtë kohë, saktësisht më 9.3.1998, Bashkësia Islame e Kosovës, në kuadër të saj, formoi Këshillin e Emergjencës, të parin e këtij lloji në Kosovë, i cili do t'u vihej në ndihmë të dëbuarve dhe të dëmtuarve nga agresioni serb në zona të ndryshme të Kosovës, si dhe do të mbështeste gjithanshëm njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në krye të këtij Këshilli, që nga fillimi, u zgjodh Naim ef. Tërnava. Pas përfundimit të luftës, ky Këshill u transformua në Shoqatën Humanitare “Bereqeti”, të cilën deri në vitin 2002 e drejtoi Naim ef. Tërnava.
Ishte edhe anëtar i Kryesisë së Këshillit Republikan të Emergjencës (1998-1999).
Nga viti 1999 deri në vitin 2003 ka ushtruar detyrën e kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Gjatë kësaj kohe, ka zhvilluar shumë takime zyrtare në nivele ndërkombëtare kudo nëpër botë, gjithnjë në interes së çështjes së Kosovës.
Më 15 tetor 2003 zgjidhet kryetar dhe Myfti i Bashkësisë Islame të Kosovës. Në këtë post është rizgjedhur edhe në vitin 2008, 2013 dhe më 2018.
Si Myfti i Kosovës që nga viti 2003, përveçqë ka pritur e takuar shumë personalitete të larta vendëse dhe ndërkombëtare, ka marrë pjesë në shumë konferenca, seminare, kongrese, simpoziume e forume brenda dhe jashtë Kosovës. Në të gjitha takimet që ka pasur me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Myftiu Tërnava i ka njoftuar me realitetin kosovar dhe njëkohësisht ka kërkuar nga ata përkrahje për Kosovën, shtetësinë dhe njohjen e pavarësisë së saj.
– Më 2005 është zgjedhur nënkryetar i Këshillit të Lartë Islamik për Evropë dhe Azi, me seli në Stamboll.
– Më 18 gusht 2015 zgjedhet anëtar i Sekretariatit të Lartë Botëror Islamik për Fetva, me seli në Kajro, organizuar nga Myftinia e Egjiptit.
– Më 6 prill 2024 zgjidhet anëtar i Akademisë së Jurisprudencës Islame të Organizatës së Ligës së Botës Islame RABITA, me seli në Meke të Arabisë Saudite.
Për kontributin e tij në shumë fusha ka marrë disa mirënjohje e çmime nga organizata, institucione dhe forume të ndryshme vendëse e ndërkombëtare.